14/10/2026 - 14/11/2026
Me kalimin e kohës, disa vepra bëhen më shumë sesa thjesht objekte në koleksionin e muzeut; ato shndërrohen në shenja të tij dalluese. Një status të tillë në historinë e Muzeut të Artit Bashkëkohor, Shkup, e ka vepra “Koka e një Gruaje” (1963) e Pablo Picassos. E pikturuar në një periudhë kur Picasso tashmë ishte figurë qëndrore e artit modern evropian dhe botëror, kjo pikturë në Shkup fiton edhe një histori tjetër, atë lokale. Ajo nuk është vetëm një vepër e koleksionit të muzeut, por edhe një nga simbolet vizuale përmes të cilave koleksioni, muzeu dhe historia e tij specifike bëhen të dukshme për publikun.
Pikërisht për këtë arsye, kjo ekspozitë nuk e vendos “Kokën e një Gruaje” vetëm si një kryevepër që duhet të rishihet e izoluar nga konteksti i saj. Përkundrazi, ajo nis nga pyetja se çfarë ndodh me një vepër pasi bëhet pjesë e muzeut; si ndryshon kuptimi i saj kur, nga një pikturë origjinale, përhapet si riprodhim, fotografi, poster apo material edukativ? Si mund të jetë një vepër njëkohësisht objekt fizik, shenjë vizuale, kujtesë dhe mjet komunikimi?
Ekspozita, e cila zhvillohet përgjatë tri drejtimeve të ndërlidhura mes tyre, përpiqet t’i përgjigjet pyetjes se si, duke u nisur nga një pikturë ikonike, mund të hapen sërish një sërë pyetjesh dhe manifestimesh të tjera të kulturës vizuale.
Ekspozita, në bashkëpunim me Ambasadën e Spanjës në Shkup, hap kështu mundësinë që të rishikohet një nga veprat më të njohura të MAB-Shkup, por edhe të shihet ajo që zakonisht gjendet rreth saj: riprodhimet e saj, gjurmët arkivore, zgjerimet edukative, lidhjet historike dhe bashkëbiseduesit e saj artistikë. Në këtë mënyrë bëhet më e qartë se koleksioni muzeor nuk është thjesht një grumbull objektesh, por një sistem marrëdhëniesh që ndryshojnë vazhdimisht. Në këtë kalim të pandërprerë nga një kuptim në tjetrin, vepra e Picassos duket gjithmonë si një rast i mirë për një lexim të ri të historisë së gjallë të Muzeut të Artit Bashkëkohor – Shkup.
Ekspozita dhe katalogu janë realizuar me mbështetjen financiare të Ambasadës së Spanjës në Shkup.
Artistët e përfaqësuar në ekspozitë: PABLO PICASSO, WIFREDO LAM, YVES ALIX, PETER MATEJKA, KAROL TCHOREK, MILE KORUBIN, SEPO SEVERO POZZATI, ORDAN PETLEVSKI, ZORA STAACK, VUJKA BOJAROVA, DIMITAR MANEV, MAURICE HENRY, MICHELE ANDAL, LEOPOLD SURVAGE, GIUSEPPE MIGNECA, PETAR LUBARDA, GEORG BASELITZ, BORIS NIKOLOSKI, EMIL FILLA, MARIA MALISZEWSKA, BRANKO RUŽIĆ.