Ekspozita AKTUALE
EN MK

LIDHJET E MSU – SHKUP ME BIENALEN E SÃO PAULOS

20/11/2026 - 23/03/2027

 

Hapja: 20 nëntor / 12:00

 

Historia e Muzeut të Artit Bashkëkohor – Shkup është e lidhur pazgjidhshmërisht me idenë e solidaritetit ndërkombëtar, të shkëmbimit artistik dhe të bashkëpunimit kulturor. I themeluar në vitin 1964 falë mbështetjes ndërkombëtare pas tërmetit shkatërrues që goditi Shkupin në vitin 1963, Muzeu e ka zhvilluar që nga themelimi koleksionin e vet si një hapësirë takimi mes kulturave artistike, estetikave dhe qasjeve të ndryshme konceptuale.

Ekspozita „Lidhjet e MSU – Shkup me Bienalen e São Paulos“ hulumton historinë ndërkombëtare të koleksionit të Muzeut përmes pjesëmarrjes në Bienale të artistëve, veprat e të cilëve ruhen në MSU. Këta artistë u prezantuan në njërën prej bienaleve më të rëndësishme ndërkombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX. E themeluar në vitin 1951, Bienalja e São Paulos u bë një platformë e rëndësishme për shkëmbimin artistik ndërkombëtar, duke krijuar një hapësirë takimi për praktikat artistike moderniste dhe bashkëkohore nga pjesë të ndryshme të botës.

Në kontekstin jugosllav, kjo histori shënohet nga Petar Lubarda, Krsto Hegedušić, Ordan Petlevski, Dragutin Avramovski-Gute, Miodrag Mića Popović, Marij Pregelj, Zlatko Prica, Vladimir Veličković, Gabrijel Stupica, Janez Bernik, Edo Murtić, Kosta Angeli Radovani, Dimitar Kondovski, Tomo Šijak, Miroslav Šutej, Vjenceslav Richter dhe Slavko Tihec. Pas pavarësimit të Maqedonisë, përfaqësimi ndërkombëtar vazhdoi me pjesëmarrjen e Jovan Shumkovskit, Violeta Blazhevskës dhe Bogdan Grabulovskit.

Shtrirja ndërkombëtare e koleksionit pasqyrohet edhe në praninë e figurave të rëndësishme të artit modern evropian dhe botëror, ndër ta Fernand Léger, Pierre Soulages, André Masson, Pierre Alechinsky, Henri-Georges Adam, Victor Vasarely, Zao Wou-Ki, Alberto Burri, Vincent Hložník, Antoni Clavé, Manolo Millares, Piero Dorazio, David Hockney, Hans Hartung, Anna-Eva Bergman, Alexander Calder, Jasper Johns, Rafael Canogar e të tjerë. Një vend të veçantë zë artisti sllovak Rudolf Krivoš. Pjesëmarrja e tij në Bienalen e vitit 1963, së bashku me Vincent Hložníkun, lidhet me dhurimin e mëvonshëm të njërës prej veprave të tij për MSU-në.

Lidhjet me skenën artistike latinoamerikane përfaqësohen nga Alfredo Volpi, Carlos Cruz-Diez, Jesús Rafael Soto, Roberto Matta, Maria Bonomi, Luis Camnitzer dhe Wifredo Lam. Pjesëmarrjet dhe prezantimet e tyre në ekspozita dëshmojnë për larminë gjeografike dhe estetike të Bienales, si dhe për rolin e saj në qarkullimin ndërkombëtar të ideve artistike.

Përmes këtyre artistëve dhe rrugëtimit të tyre nëpër ekspozita, ekspozita e paraqet koleksionin e Muzeut si një arkiv të gjallë të kontakteve ndërkombëtare, të marrëdhënieve kulturore dhe të dëshmive historike. Ajo lidh Shkupin me São Paulon dhe nxjerr në pah rolin e MSU-së si institucion që ruan veprat e artit, hulumton domethëniet e tyre më të gjera historike e kulturore dhe i sjell ato sërish në vëmendje.

Ekspozita rikthen në vëmendje idenë themelore mbi të cilën u ngrit Muzeu, se arti i kapërcen kufijtë gjeografikë dhe politikë dhe se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe solidariteti janë parakushte të përhershme për zhvillimin kulturor.

Kurator: Blagoja Varoshanec

Bashkëkuratore: Iva Dimovski

EKSPOZITA TË KALUARA

ПИКАСО, СЛИКАТА НА МУЗЕЈОТ: Избор на дела од колекцијата на МСУ - Скопје

14/10/2026 - 28/10/2026

СОЛИДАРНОСТА КАКО ИДНИНА

29/09/2026 - 28/10/2026

БЛАГОЈА МАНЕВСКИ: 40 години творештво

23/09/2026 - 08/11/2026

ЛАЗЕ ТРИПКОВ: Имерзивна трансформација на глаголицата

21/08/2026 – 05/09/2026